...
Vende Unike
Lugina e Vjosës

Lugina e cila përbën 16% të territorit të Shqipërisë dhe përfshin rrethet e Gjirokastrës, Përmetit, Vlorës, Fierit, Korçës dhe Beratit ofron pamje mahnitëse në të gjithë gjatësinë e lumit Vjosa dhe është një vend i shkëlqyer për turizëm ekologjik. Lumi buron nga malet e Pindit në Janinë të Greqisë dhe ka një gjatësi 272 km, prej të cilave 80 km në territorin e Greqisë, dhe 192 km që vërshojnë brenda territorit të Shqipërisë.

Me bimësi të dendur, male, ishuj të vegjël dhe plazhe me guralecë të bardhë lugina e Vjosës ofron spektakle natyrore mbresëlënëse, aktivitete të shkëlqyera si sportet ujore dhe habitate interesante për shumë zogj shtegtarë, veçanërisht speciet e kategorizuara si të rralla, endemike apo edhe të rrezikuara për t'u zhdukur, peshq ashtu si dhe zogj. Ndër to përmendim lundërzën, ngjalën evropiane, gurneckën e Ohrit, atë të Pindit etj. Në kohët e lashta, Vjosa mitizohej si një lumë i shenjtë. Gryka e Vjosës shërbente jo vetëm si një strehë e sigurt për anijet, të cilat mund të hynin deri pranë mureve rrethuese të Apolonisë, por edhe si një vend për t'u mbrojtur nga armiqtë. Vjosa është personifikuar në një skulpturë të shekullit të III para Krishtit, të zbuluar në Apoloni përmes figurës së një plaku të shtrirë e të mbështetur në krahun e djathtë, me flokë të gjata deri te supet e me mjekër të dendur. Sot, lumi me 130 monumente natyrore është i mbrojtur si një nga lumenjtë e fundit të egër të mbetur në Evropë.

Bashkëpunëtorët tanë